Wednesday, December 4, 2024

Albania: Media pluralism and transparency concerns fuel deterioration in media freedom

Must read

Shqipëri: shqetësimet rreth pluralizmit dhe transparencës kontribojnë në përkeqësimin e lirisë së medias

 

18 Nëntor 2022

Pas një misioni dyditor faktmbledhës në Tiranë, më 17-18 nëntor 2022, partnerët e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës publikojnë sot gjetjet e tyre mbi lirinë e shtypit, pluralizmin e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri.

 

Gjatë vizitës, organizatat u takuan me shoqatat e gazetarëve, redaktorë dhe gazetarë, zyrtarë të qeverisë, deputetë, kryeministrin, si dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, policisë, komisionerit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, autoritetit të mediave audiovizive, këshillit të medias, OJQ-ve dhe radio televizionit publik.

 

Vlerësimi ynë është se në përgjithësi Shqipëria vazhdon të përjetojë një përkeqësim të lirisë së medias. Ndërkohë që kuadri ligjor mbetet përgjithësisht i përshtatshëm, nuk është bërë asnjë progres në vitet e fundit në përmirësimin e mjedisit mundësues për gazetarinë e pavarur dhe pluralizmin mediatik.

 

Mund të vërehen disa zhvillime pozitive. Delegacioni u informua gjatë një takimi se parlamenti votoi tërheqjen zyrtarisht nga kalendari i të të ashtuquajturës paketë antishpifje më 15 nëntor 2022. Vendimi me shkrim ende nuk është publikuar. Ky propozim legjislativ për regjistrimin dhe rregullimin e mediave online qëndroi si shpata e Demokleut mbi tregun mediatik për gati tre vjet dhe do të kishte pasoja të dëmshme nëse miratohej.

 

Ne përshëndesim gatishmërinë e qeverisë për të marrë parasysh shqetësimet e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kundërshtuan ligjin, si dhe gatishmërinë më të gjerë për të zbatuar standardet ndërkombëtare për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, në veçanti ato të Këshillit të Evropës, duke përfshirë Komisionin e Venecias dhe Bashkimin Evropian për çështje të tjera që lidhen me lirinë e medias.

 

Ne mirëpresim gjithashtu shtimin e numrit të konferencave për shtyp të organizuara nga kryeministri që nga pandemia COVID-19, të cilat u kanë dhënë gazetarëve më shumë mundësi për të bërë pyetje drejtpërdrejt për çështje me interes publik. Në fushën e transparencës, organizatat tona mirëpresin gjithashtu ratifikimin e fundit dhe hyrjen në fuqi të Konventës së Këshillit të Evropës të vitit 2005 për Qasjen në Dokumentet Zyrtare (CETS Nr. 205).

 

Puna e policisë në hetimin e shpejtë të sulmeve ndaj gazetarëve dhe zbatimin e masave disiplinore për rastet që përfshijnë oficerë të zbatimit të ligjit është gjithashtu e mirëpritur. Inkurajuese janë edhe informacionet që ka marrë delegacioni për nismat për trajnimin e punonjësve të policisë për rolin dhe të drejtat e gazetarëve. Organizatat tona mirëpresin gjithashtu rritjen si në numër ashtu edhe në cilësi të përgjigjeve të shtetit ndaj alarmeve që përfshijnë kërcënime ndaj lirisë së medias në Platformën e Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve.

 

Pavarësisht këtyre hapave inkurajues, perceptimi dërrmues i përfaqësuesve të medias ishte se klima për raportim të lirë dhe të pavarur në Shqipëri po përkeqësohej. Ky perceptim reflektohet nga rritja e numrit të sinjalizimeve për lirinë e medias të postuara në Platformë, duke përfshirë sulmet ndaj gazetarëve, retorikën diskredituese nga politikanët dhe shqetësimet për klimën kufizuese për qasjen në informacion.

 

Megjithatë, shkaku kryesor i shumë prej kërcënimeve ndaj gazetarisë së pavarur në Shqipëri vazhdon të jetë kapja e pjesëve të rëndësishme të mjedisit mediatik nga interesat e biznesit. Këta pronarë mediash, shumë prej të cilëve kanë pronësi edhe industri kyçe të rregulluara nga shteti që mbështeten në tendera publikë, përdorin sistematikisht asetet e tyre mediatike për t’i shërbyer axhendave të tyre private ose politike në vend të interesit publik. Vitet e fundit është intensifikuar përqendrimi i mediave nën kontrollin e grupeve të tilla biznesi.

 

Rezultati është se ndërhyrja e drejtpërdrejtë e pronarëve të mediave në pavarësinë editoriale është e lartë dhe disa çështje apo tema të ndjeshme konsiderohen të palejueshme për gazetarët. Këto praktika pronësie kanë minuar prej kohësh besimin e publikut në integritetin e medias dhe çojnë në autocensurë kronike brenda komunitetit gazetaresk dhe mungesë të raportimit investigativ cilësor.

 

Në fushën e rregullimit të medias, emërimet e politizuara në Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) vazhdojnë të shtrojnë pikëpyetje serioze mbi pavarësinë e këtij organi. Shqetësimet e mëdha vazhdojnë edhe për financimin e pamjaftueshëm të transmetuesit publik Radio Televizioni Shqiptar (RTSH).

 

Një nga çështjet më urgjente për punën e përditshme gazetareske vazhdon të jetë mungesa e transparencës dhe qasjes në informacion. Gazetarët shpërfillen rregullisht kur kërkojnë informacione ose komente nga autoritetet publike dhe zyrtarët. Në të gjitha nivelet e qeverisjes, gazetarët ende përballen me barriera në parashtrimin e pyetjeve ose në shqyrtimin e duhur të atyre që janë në pushtet.

 

Gazetarët thanë se ndërsa Agjencia e re për Media dhe Informim (AMI) ka rezultuar në një rritje të komenteve publike nga ministrat dhe zyrtarët publikë për disa çështje, në përgjithësi autoriteti ka mbikëqyrur një shtrëngim të kontrollit mbi informacionin në atë që tashmë ishte një mjedis shumë sfidues. Delegacioni dëgjoi gjithashtu nga gazetarët se vendimet e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Informim për kërkesat për dokumente me interes publik nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi (FOI) nuk trajtohen me aq efikasitet sa më parë.

 

Ndërkohë, zyra e kryeministrit vijon të përdorë aparatin e saj të komunikimit për të shpërndarë në media përmbajtje të shkruar dhe audio-vizive të parapërgatitura. Vetë kanali i komunikimit i kryeministrit, Televizioni Edi Rama (ERTV), vazhdon të transmetojë biseda me pyetje të lehta drejtuar kryeministrit dhe politikanëve të tjerë. Kjo strategji komunikimi anashkalon gazetarët dhe mbron autoritetet nga pyetjet sfiduese. Të njëjtën praktikë përdor edhe kryebashkiaku i Tiranës, përmbajtja tepër e kuruar e të cilit dominon ekranet televizive, formëson mbulimin e lajmeve dhe anashkalon shqyrtimin gazetaresk.

 

Siguria e gazetarëve vazhdon të jetë një problem. Ndërsa sulmet e rënda fizike mbeten të rralla, rastet e fundit të dhunës ndaj gazetarëve nënvizojnë kërcënimet me të cilat përballen profesionistët e medias për shkak të punës së tyre. Vonesat në përpjekjet për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve rezultojnë në mosndëshkim.

 

Vazhdojnë përpjekjet e figurave politike të profilit të lartë për të diskredituar dhe denigruar gazetarët kritikë. Ndërkohë që përdorimi i gjuhës agresive dhe fyese nga kryeministri ndaj medias ka rënë, akti i futjes së disa gazetarëve që bëjnë pyetje sfiduese në të ashtuquajturin “riedukim”, shoqëruar me ndalime të njëanshme për të marrë pjesë në konferenca për shtyp, kanë rezultuar edhe më i dëmshëm. Ndërkohë që kryeministri i cilësoi këto komente si humor gjatë një takimi, pasojat profesionale për gazetarët e etiketuar kanë qenë të rënda.

 

Ndërsa dënimet me burg për shpifje u shfuqizuan në vitin 2012, shpifja dhe fyerja mbeten vepra penale të dënueshme me gjobë. Një rast në Platformë që përfshin një padi për shpifje të ngritur kundër një gazetari nga ish-kryeprokurorja e Tiranës për raportimin e tij për procesin e vetingut të saj është një shembull shqetësues se si këto ligje vazhdojnë të abuzohen nga figura të pushtetshme që synojnë të heshtin gazetarinë kritike.

 

Vetëcensurimi mes gazetarëve është një sfidë sistematike e përkeqësuar nga kushtet e këqija të punës dhe të drejtat e punës për profesionistët e medias. Pagesa e ulët dhe paqëndrueshmëria profesionale i lënë gazetarët të prekshëm ndaj presionit nga pronarët e mediave.

Latest article